Lajmi ditës

“Na jepni raketat Patriot dhe ndalim sulmet”, Zelensky i propozon marrëveshje Trumpit

“Na jepni raketat Patriot dhe ndalim sulmet”, Zelensky i propozon marrëveshje Trumpit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka paraqitur homologut amerikan, Donald Trump, një propozim për ndërprerjen e sulmeve ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës, në këmbim të furnizimit të menjëhershëm të Kievit me raketa interceptuese për sistemet Patriot.

Në një intervistë për “Fox News”, Zelensky deklaroi se e ka diskutuar disa herë këtë çështje me Trumpin dhe përfaqësues të administratës amerikane, duke theksuar se Ukraina nuk mund të qëndrojë pa reaguar ndaj sulmeve ruse mbi infrastrukturën e saj energjetike.

“U kemi shpjeguar se nuk mund të mos përgjigjemi kur Rusia sulmon sektorin tonë energjetik, kur vret qytetarët tanë dhe kur godet termocentralet, infrastrukturën e gazit dhe rafineritë tona”, tha presidenti ukrainas.

Sipas Zelenskyt, Kievi i ka paraqitur Uashingtonit dy alternativa për të ndalur sulmet ndaj objekteve ruse të përpunimit të naftës.

Mundësia e parë parashikon që Rusia të ndërpresë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase. Në këtë rast, Ukraina do të ishte e gatshme të ndalonte goditjet ndaj rafinerive ruse.

Alternativa e dytë lidhet drejtpërdrejt me furnizimin e Ukrainës me raketa interceptuese Patriot, të cilat përdoren për të neutralizuar kërcënimet ajrore.

“Nëse dëshironi që ne të ndalojmë sulmet ndaj rafinerive ruse, atëherë Rusia duhet të ndalojë sulmet ndaj sistemit tonë energjetik. Por ekziston edhe një mundësi tjetër: na jepni raketat Patriot. Ne do t’i sigurojmë paratë, nuk po kërkojmë vetëm ndihmë. Jemi të gatshëm t’i paguajmë”, u shpreh Zelensky.

Presidenti ukrainas sqaroi se propozimi parashikon një ndërprerje të përkohshme dhe të kushtëzuar të sulmeve. Nëse Shtetet e Bashkuara sigurojnë raketa interceptuese të mjaftueshme për një muaj, forcat ukrainase do të pezullojnë goditjet ndaj rafinerive ruse për të njëjtën periudhë.

Në këtë mënyrë, sipas propozimit të Zelenskyt, kohëzgjatja e pezullimit të sulmeve do të lidhej drejtpërdrejt me sasinë e raketave që Uashingtoni do t’i vinte në dispozicion Kievit.

Ndaj / Сподели