Lajmi ditës

Hasim Memishi: Dy vjet në krye të Teatrit të Tetovës, 10 premiera dhe 13 çmime

Hasim Memishi: Dy vjet në krye të Teatrit të Tetovës, 10 premiera dhe 13 çmime

Drejtori i Teatrit të Tetovës, Hasim Memishi, ka bërë një bilanc të punës së institucionit për periudhën tetor 2024 – tetor 2026, duke veçuar realizimin e 10 premierave, pjesëmarrjen në festivale të shumta, udhëtimet jashtë vendit dhe fitimin e 13 çmimeve, shkruan Tema.mk.

Përmes një postimi, Memishi ka theksuar se gjatë dy viteve të fundit në teatër janë realizuar katër punësime me kontrata të përhershme pune, ndërsa një vëmendje e veçantë u është kushtuar edhe shfaqjeve për fëmijë, të cilat, sipas tij, janë rikthyer pas një periudhe të gjatë.

Në bilancin e publikuar, drejtori ka përmendur edhe aktivitetin e pasur artistik të teatrit, me dhjetëra repriza, udhëtime dhe pjesëmarrje në festivale të ndryshme në vend dhe jashtë tij.

Gjatë kësaj periudhe, shfaqjet e Teatrit të Tetovës janë prezantuar në disa qytete të rajonit, përfshirë Tiranën, Kalabrinë në Itali dhe Zagrebin e Koprivnicën në Kroaci.

Pjesëmarrje në 16 festivale

Sipas të dhënave të publikuara nga Memishi, Teatri i Tetovës ka marrë pjesë në gjithsej 16 festivale gjatë viteve 2024, 2025 dhe 2026. Në mesin e tyre janë Ditët e Komedisë Shqiptare në Preshevë, Flaka e Janarit në Gjilan, Ku Fest në Kumanovë, MittrixFest në Mitrovicë, Festivali i Teatrove në Suharekë dhe Festivali Ndërkombëtar i Teatrit të Grave Dramaturge në Stamboll.

Ndër shfaqjet që kanë përfaqësuar teatrin në këto aktivitete janë „Pacienti i dr. Frojdit“, „Dredhitë e Patukut“, „Në përballje me vdekjen“ dhe „Dramë për të qesh“.

Në disa prej këtyre festivaleve, trupa teatrore është vlerësuar me çmime, ndërsa shfaqja „Shtëpia pa dritare“ ka fituar tri çmime në Festivalin „Teatri Shqiptar në Maqedoni“, në Dibër, në vitin 2026.

Sipas bilancit të publikuar nga drejtori, në total, Teatri i Tetovës ka fituar 13 çmime, ka realizuar pesë udhëtime dhe ka marrë pjesë në 16 festivale gjatë dy viteve të fundit.

Në përmbyllje të bilancit, Memishi ka theksuar se puna dhe përkushtimi do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, me synimin për të ofruar më të mirën për teatrin dhe publikun.

„Do vazhdojmë me punë dhe përkushtim, që të bëjmë më të mirën për Teatrin dhe publikun!“, ka shkruar Memishi./Tema.mk/

Ndaj / Сподели