Lajmi ditës

VMRO: Bërvenica nuk do të harrohet – VLEN-i ishte “Kali i Trojës”

VMRO: Bërvenica nuk do të harrohet – VLEN-i ishte “Kali i Trojës”

“Një Bërvenicë për të gjithë është më shumë se një koncept. Përmes tij ne theksuam fuqinë e unitetit, bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, investimet në infrastrukturë dhe kushtet më të mira të jetesës, ndërsa kundërshtarët, duke shfrytëzuar gjendjen demografike, bënin thirrje për votim etnik.

Kundërshtarët tanë u bashkuan dhe të gjithë së bashku, në vend të një gare idesh, e shndërruan garën zgjedhore në një arenë përçarjesh mbi baza të ndryshme”, theksuan nga partia.

Nga atje akuzuan partitë e tjera se nuk u kanë dhënë mbështetje, ndërsa kritika drejtuan edhe ndaj partnerit të tyre të koalicionit.

“BDI, LSDM, E Majta dhe, për fat të keq, edhe VLEN-i, si kali i Trojës nga njëra anë, ndërsa VMRO-DPMNE nga ana tjetër. Ne të vetëm kundër të gjithëve dhe, falë besimit që na dhanë qytetarët, arritëm një rritje të konsiderueshme të numrit të votave, të cilat, për fat të keq, nuk mjaftuan që Jovançe Radiçevski të zgjidhej kryetar i komunës.

Nga 3.000 vota në raundin e parë arritëm në 4.200 vota për VMRO-DPMNE-në në raundin e dytë, ndërsa krahasuar me zgjedhjet parlamentare, rritja e votave është 1.300”, thuhet në komunikatë.

“LSDM-në dhe partinë politike E Majta i mposhtëm plotësisht në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve të parakohshme lokale. Ata përfunduan në vendin e katërt dhe të pestë, ndërsa si mundësi e fundit për t’i bërë dëm VMRO-DPMNE-së në raundin e dytë, u vunë në shërbim të BDI-së për të tërhequr vota.

Ajo që shkakton keqardhje të veçantë është fakti se partneri ynë i koalicionit, VLEN-i, e humbi mundësinë që në Bërvenicë të ishte ndryshe nga BDI-ja dhe të ngrihej mbi nacionalizmin etnik. Me këtë u dëshmua se, njësoj si kandidatët e LSDM-së dhe E Majta, ishte kali i Trojës në shërbim të BDI-së.

Megjithatë, pas këtyre zgjedhjeve, që nga dita e nesërme, qytetarët, si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët, do të presin projekte dhe zhvillim, e jo nacionalizëm. Do të presin rezultate dhe jo demagogji se cilës parti i përket dikush apo cilës bashkësi etnike i përket kryetari i komunës.

Prandaj, Bërvenica nuk do të harrohet. Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të vazhdojë të investojë, të kontribuojë dhe të ndërtojë për zhvillimin e komunës dhe për krijimin e kushteve më të mira të jetesës për qytetarët”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Ndaj / Сподели