Presioni social rreth maturës është bërë i tepruar, sidomos kur familjet hyjnë në shpenzime që mezi i përballojnë vetëm për një natë. Në të njëjtën kohë, të tjerë e shohin si një moment simbolik që ndodh vetëm një herë në jetë.
Matura sot për shumë të rinj është kthyer jo vetëm në një festë, por edhe në një garë luksi dhe shpenzimesh të mëdha. Ka maturantë që zgjedhin të shpenzojnë më pak dhe ta kalojnë natën thjeshtë. Tek vajzat, shpenzimet fillojnë nga fustani apo kompleti elegant, këpucët, çanta dhe aksesorët. Pastaj vazhdojnë me grim profesional, frizurë, manikyr, pediker, kozmetikë. Vetëm këto përgatitje shpesh arrijnë shuma shumë të larta.
Edhe djemtë nuk mbeten pas. Kostumet elegante, këpucët, parfumet dhe aksesorët kanë çmime të larta, ndërsa shumë prej tyre marrin vetura me qira apo organizojnë hyrje luksoze për mbrëmjen e maturës. Në fund, edhe tek djemtë shpenzimet mund të kalojnë lehtë mbi 500 euro.
Përveç përgatitjeve personale, maturantët paguajnë edhe për vetë organizimin e mbrëmjes së maturës, ku përfshihen restoranti, darka dhe muzika. Nxënësit e shkollës “Zef Lush Marku” paguajnë 1700 denarë për pjesëmarrje në mbrëmjen e maturës, ndërsa ata të “Cvetan Dimov” paguajnë 1800 denarë, pra 100 denarë më shumë.
Kjo do të thotë se për vetëm një natë prej rreth 6 orësh, shumë familje harxhojnë minimumi 200 deri në 300 euro, ku disa edhe shumë më tepër, ku çmimi mundet të arrij deri në 800-1000 euro. Për disa, kjo është një kujtim i rëndësishëm që ndodh vetëm një herë në jetë, por për të tjerë paraqet një barrë financiare dhe presion të madh. Megjithatë, matura duhet të mbetet një kujtim i bukur i përfundimit të shkollës së mesme dhe jo një garë për luks apo shpenzime të tepërta.
Habibe Qerimi, nxënëse e SHMQSH “Cvetan Dimov” tha për gazetën KOHA se çdo nxënës i jep rëndësi të veçantë kësaj nate. “Mbrëmja e maturës është një nga momentet më të rëndësishme për çdo nxënës dhe të gjithë i japim rëndësi të veçantë kësaj nate. Mirëpo, shpesh nuk mendojmë sa të mëdha mund të jenë shpenzimet që lidhen me organizimin e saj”, u shpreh ajo.
