Lajmi ditës

Albi Qamili: BDI 22 vite premtoi autostradën Shkup-Bllacë, sot VLEN nis punimet

Albi Qamili: BDI 22 vite premtoi autostradën Shkup-Bllacë, sot VLEN nis punimet

“22 vite pushtet, 0 kilometra”. Me këtë mesazh, Albi Qamili nga VLEN ka rikujtuar premtimet e vazhdueshme të BDI-së për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, duke theksuar se për më shumë se dy dekada projekti mbeti vetëm në deklarata politike.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Qamili ka rikthyer në vëmendje disa nga deklaratat e funksionarëve të BDI-së ndër vite, përfshirë Bujar Osmanin, Ali Ahmetin dhe Ejup Rustemin, të cilët në periudha të ndryshme kishin premtuar realizimin e projektit.

“Sa herë e ka premtuar BDI autostradën Shkup–Bllacë? Sinqerisht, as unë nuk e di saktësisht sa herë. Por një gjë e dimë: plot 22 vite”, shprehet Qamili.

Ai veçon një deklaratë të Bujar Osmanit nga viti 2019, kur Osmani kishte marrë përsipër publikisht çështjen e realizimit të projektit.

“Pra, ai me shumë mburrje po thotë: tash unë merrem me këtë punë. Dhe rezultati… e dini: 0”, thotë Qamili.

Në video rikujtohet edhe një deklaratë e Ali Ahmetit, i cili gjithashtu kishte premtuar ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, ndërsa Qamili e shoqëron atë me një mesazh ironik: “Autostrada jo, ama Soravia u ndërtua”.

Në listën e premtimeve të papërmbushura Qamili përfshin edhe ish-drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Ejup Rustemin.

Sipas tij, dështimi për realizimin e projektit ishte bërë aq i dukshëm sa funksionarë të BDI-së kishin filluar edhe të akuzonin njëri-tjetrin për përgjegjësinë e mosrealizimit të autostradës.

Por, sipas Qamilit, ndryshimi tashmë është konkret.

“Të dashur qytetarë, ju me të drejtë shpesh po na thoni: ‘Lërini ata çka kanë bërë, na tregoni ju çka po bëni.’ Po ju tregojmë: sot filluan punimet. Pra, si çdo punë tjetër, edhe këtë punë po e bën VLEN-i”, thekson ai.

Qamili thotë se VLEN do të vazhdojë me realizimin e projekteve, por paralelisht do të vazhdojë të nxjerrë në pah edhe, siç shprehet ai, dështimet e qeverisjeve të kaluara.

“Punë do të bëjmë, por nuk do të rrimë pa i nxjerrë në dritë dështimet e tyre”, përfundon Qamili.

Ndaj / Сподели