Prokuroria Themelore Publike Veles ka nisur procedurë hetimore ndaj dy personave të dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve”, pasi u kapën duke transportuar një sasi të madhe marihuane.
Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit kishin transportuar rreth 65 kilogramë marihuanë, ndërsa janë ndaluar në pikën e pagesës “Stobi”, në afërsi të Gradsko.
I dyshuari i parë, një 38-vjeçar nga Shkupi, drejtonte automjetin me targa të Shkupit ku ndodhej droga, e paketuar në katër çanta të mëdha të zeza. Për të shmangur kontrollet policore, ishte angazhuar edhe një person i dytë, 55-vjeçar nga Kavadari, i cili kishte rolin e “pastruesit të rrugës”, duke lëvizur përpara për të paralajmëruar për kontrolle të mundshme.
Megjithatë, plani i tyre dështoi në pikëpagesën “Stobi”, ku policia vuri re lëvizje të dyshimta. Pasi iu dha shenjë për ndalim, 38-vjeçari nuk u bind dhe me shpejtësi të madhe theu pikën e kontrollit duke u larguar drejt Gradsko. Policia ndërmori menjëherë ndjekjen dhe arriti ta ndalojë, ndërsa gjatë kontrollit në automjet u gjetën katër çantat me marihuanë.
Prokurori publik ka dorëzuar tashmë propozim në Gjykata Themelore Veles për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e parë, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Kronika e zezë
“Njëri hapte rrugën, tjetri e transportonte drogën”, detaje të reja nga aksioni i djeshëm i “Tigrave”
