Mbi 7 milionë e 132 mijë euro janë shpenzuar për projektin e rinovimit të rrjetit të ujësjellësit në Gostivar dhe forcimin institucional të Ndërmarrjes Publike Komunale “Komunalec”, por një pjesë e investimeve të planifikuara nuk janë realizuar ose nuk kanë hyrë kurrë në funksion.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Telma, Komuna e Gostivarit në vitin 2016 kishte kërkuar mbështetje financiare nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW), ndërsa një pjesë e fondeve u sigurua edhe nga vetë komuna.
Komuna dhe “Komunalec” morën përsipër të kontribuonin me 682 mijë euro, SECO financoi mbi 4.5 milionë euro, ndërsa KfW pothuajse 2 milionë euro. Projekti, i planifikuar të niste në vitin 2016, u shty për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të vitit 2017, ndërsa punimet teknike filluan në vitin 2018.
Letra e qëllimit ishte nënshkruar nga ish-kryetari Nevzat Bejta dhe drejtori i atëhershëm i “Komunalec”, Memedali Xhaferi, ndërsa realizimi i projektit u zhvillua gjatë mandatit të ish-kryetarit Arben Taravari.
Burime nga “Komunalec” deklarojnë për Telmën se një pjesë e projektit nuk u realizua kurrë, ndërsa një pjesë tjetër, megjithëse u inaugurua, nuk funksionoi asnjëherë.
Ndër investimet kryesore ishte ndërtimi i tre rezervuarëve të ujit në Banjicë, Çegran dhe Zdunjë. Rezervuari më i madh në Zdunjë, me kapacitet prej 6.000 metra kub, u vu në përdorim në vitin 2024, por sipas burimeve, për shkak të zhvendosjes së tij nuk funksionoi kurrë siç duhet dhe u raportuan probleme me mbushjen.
Dy rezervuarët e tjerë, me kapacitete prej 900 dhe 800 metra kub, nuk u ndërtuan fare, edhe pse një pjesë e tubacioneve që duhej t’i lidhnin ishte vendosur.
Për shkak se projekti mbeti i papërfunduar, nuk u realizua zonimi hidraulik dhe menaxhimi i presionit të ujit, gjë që sipas punonjësve të “Komunalec” ka sjellë mungesa të vazhdueshme të ujit dhe presion të pabarabartë në pjesë të ndryshme të Gostivarit.
Nga SECO kanë deklaruar se projekti zgjati nga dhjetori 2016 deri në dhjetor 2023 dhe se të gjitha komponentët e financuara prej tyre janë përfunduar dhe i janë dorëzuar ndërmarrjes publike. Ata theksojnë se pas dhjetorit 2023 nuk kanë qenë më të përfshirë në investime apo ndërhyrje në sistemin e ujësjellësit, pasi përgjegjësia për funksionimin dhe mirëmbajtjen i takon “Komunalec”.
Sipas Prokurorisë, deri më tani nuk ka hetim për mënyrën e realizimit të projektit. Ndërkohë, qytetarët e Gostivarit vazhdojnë të përballen me probleme në furnizimin me ujë, të cilat së fundmi çuan edhe në shpalljen e një epidemie. Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se do të kryhet një revizion edhe për këtë projekt, pa specifikuar institucionin që do ta realizojë atë.
Lajmi ditës
Si dështoi projekti 7.1 milionë euro për ujësjellësin e Gostivarit, a do të ketë hetim nga prokuroria?
