Profesori Daniel Serwer nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, ka reaguar ndaj vendimit të Speciales ndaj ish-krerëve të UÇK’së, duke shkruar fillimisht se ‘‘nuk është vetëm vendimi ai që është i padrejtë’’.
Serwer, në deklarimin e tij thekson se kontrasti është i dukshëm, duke shtuar se, një president i Kosovës, i cili ishte përpjekur t’i mbronte bashkëqytetarët nga shtypja serbe, ndodhet në burg, ndërsa, Serbia po fuqizon një politikan që i shërbeu qeverisë që sulmoi civilët në Kosovë dhe po nderon autorin e krimeve edhe më të rënda në Bosnjë.
‘’ E krijuar për t’u fokusuar te pretendimet për trafikim organesh të përmendura në një raport të Këshillit të Evropës, ajo nuk gjeti asnjë provë për t’i mbështetur ato. Kështu, ajo e zhvendosi vëmendjen te pretendimet e shërbimeve sekrete serbe’’, ka shkruar ai mes tjerash.
Serwer, ka vlerësuar edhe se, amerikanët dhe evropianët duhet të ‘’ndihen të turpëruar’’, duke shtuar se këta të fundit, e kanë ‘’kriminalizuar’’ një lëvizje çlirimtare që e kishin mbështetur dhe e kanë shndërruar drejtësinë ndërkombëtare në hakmarrje politike.
