Lajmi ditës

Uji për pije në Gostivar i pa sigurt, ja detajet

Uji për pije në Gostivar i pa sigurt, ja detajet

Problemet me furnizimin me ujë të pijshëm gjatë verës janë të pranishme pothuajse në të gjitha vendbanimet e rajonit të Pollogut. Për këtë arsye, nga ndërmarrja apelojnë që qytetarët ta përdorin ujin në mënyrë racionale. Gostivar, 25 qershor – Ndërmarrja Publike “Komunalec” në Gostivar ka njoftuar se po realizon aktivitete të domosdoshme teknike për përmirësimin dhe rritjen e presionit të ujit në rrjetin e ujësjellësit. “Si pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre punimeve, uji nuk konsiderohet i sigurt për pije. Këshillojmë qytetarët që të mos konsumojnë ujë nga çezma deri në njoftimin e radhës. Pas përfundimit të punimeve do të kryhen analiza të plota laboratorike për të verifikuar cilësinë e ujit. Njoftimi i ardhshëm do të publikohet sapo rezultatet laboratorike të konfirmojnë se uji i plotëson të gjitha standardet shëndetësore dhe të sigurisë për konsum”, njoftuan nga NP “Komunalec”.Ndërkohë, Ndërmarrja Publike “Komunalec”, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, po realizon një projekt për rritjen e sasisë së ujit të pijshëm për qytetin. Sipas drejtuesve të ndërmarrjes, aktualisht furnizimi është stabil dhe ka sasi të mjaftueshme uji, por gjatë sezonit veror keqpërdorimet rriten ndjeshëm, duke trefishuar konsumin.Projekti për vendosjen e një linje të re shtesë të ujit nis gjatë këtij muaji dhe pritet të përfundojë në korrik, duke rritur kapacitetet e furnizimit me ujë të pijshëm. Me realizimin e tij pritet përmirësim i situatës edhe në lagjet që përballen vazhdimisht me probleme në furnizim. “Sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm nga burimi në fshatin Vrutok, Gostivari furnizohet çdo ditë me rreth 410 litra ujë në sekondë. Kjo sasi është e mjaftueshme për nevojat e qytetit, por harxhimi është shumë i lartë dhe në shumë raste kemi keqpërdorim të ujit të pijshëm. Në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit kemi planifikuar ndërtimin e një linje të re nga Vrutoku, e cila pritet të stabilizojë furnizimin në lagjet problematike. Punimet do të nisin gjatë këtij muaji dhe pritet të përfundojnë kah mesi i korrikut”, deklaroi drejtoresha e NP “Komunalec”, Arta Hasani.Problemet me furnizimin me ujë të pijshëm gjatë verës janë të pranishme pothuajse në të gjitha vendbanimet e rajonit të Pollogut. Për këtë arsye, nga ndërmarrja apelojnë që qytetarët ta përdorin ujin në mënyrë racionale.Një sfidë tjetër mbetet edhe niveli i ulët i pagesës së faturave. Nga ndërmarrja bëjnë të ditur se qytetarëve u ofrohet mundësia e pagesës me këste të detyrimeve të papaguara, para se rastet të procedohen te përmbaruesit. “Kemi një nivel të ulët të pagesës së faturave për ujë të pijshëm. Qytetarët shpesh e neglizhojnë këtë obligim, ndërsa njëkohësisht kërkojnë shërbime më cilësore. Për këtë arsye kemi mundësuar pagesën me këste, në mënyrë që të shmangen shpenzimet shtesë për noterë dhe përmbarues. Deri tani janë nënshkruar rreth 200 kontrata për pagesë me këste dhe qytetarët në masë të madhe po i respektojnë ato. Qëllimi ynë është përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve”, theksoi Hasani.

Ndaj / Сподели