Një zyrtar policor nga rrethina e Vranjës është arrestuar nën dyshimin se ka shkaktuar një aksident fatal trafiku, duke goditur një këmbësor dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes pa i ofruar ndihmë viktimës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, përcjell preshevacom, F.A. (25), pjesëtar i Policisë së Vranjës, i cili në momentin e aksidentit ndodhej jashtë detyrës zyrtare, dyshohet se gjatë natës mes 29 dhe 30 majit, në afërsi të Vranjës, me automjetin e tij ka goditur një këmbësor rreth 50-vjeçar.
Pas aksidentit, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes pa ndaluar për t’i ofruar ndihmë personit të lënduar. Këmbësori, si pasojë e plagëve të marra, ka humbur jetën.
Policia ka arritur ta identifikojë dhe arrestojë shpejt të dyshuarin, ndaj të cilit janë ngritur dyshime për veprat penale “vepra të rënda kundër sigurisë së trafikut publik” dhe “mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në aksident trafiku”.
Me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Vranjë, F.A. është ndaluar për 48 orë dhe më pas është dërguar para prokurorit me kallëzim penal.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Vranjë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
