Lajmi ditës

Hoxha që la Kosovën pas 60 aplikimeve për punë: Sot vendos pllaka në Gjermani

Hoxha që la Kosovën pas 60 aplikimeve për punë: Sot vendos pllaka në Gjermani

Hoxha Drilon Gashi, i cili ka studiuar teologji, filozofi dhe shkenca humane, ka rrëfyer përmes një shkrimi prekës rrugëtimin e tij nga angazhimi fetar dhe institucional në Kosovë deri te puna fizike në ndërtimtari në Gjermani, përcjell agjencia e lajmeve INA.Pas rreth 60 aplikimeve për punë dhe përvojave të njëpasnjëshme të zhgënjimit, ai thotë se u detyrua të marrë rrugën e mërgimit për të siguruar jetesën e familjes.Një rrëfim ndryshe nga realiteti i mërgimit vjen nga Gjermania, ku hoxha Drilon Gashi ka ndarë përvojën e tij personale, duke ngritur njëkohësisht pikëpyetje për mundësitë e punësimit, vlerësimin e meritës dhe perspektivën e të rinjve e profesionistëve në Kosovë.Në shkrimin e publikuar më 1 nëntor 2026, Gashi tregon se ka kaluar rreth 25 vjet duke studiuar teologji, filozofi dhe shkenca humane. Ai ka shërbyer si imam, ka punuar si këshilltar i Kryekuvendarit dhe ka vazhduar studimet në psikoterapi.Megjithatë, sot, në moshën 39-vjeçare, ai gjendet në një kantier ndërtimi në Gjermani, ku punon duke vendosur pllaka, bartur kova dhe kryer punë fizike.“Jo sepse më vjen turp nga kjo punë. Përkundrazi! Puna nuk e poshtëron njeriun. Por njeriun mund ta dërrmojë një jetë e tërë përpjekjesh pa siguri dhe pa asnjë perspektivë”, shkruan Gashi.Ai rrëfen se në Kosovë ka aplikuar në rreth 60 vende pune, duke trokitur në dyert e institucioneve, kompanive dhe njerëzve me ndikim. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe është përballur me refuzime, premtime të pambajtura dhe zhgënjime të vazhdueshme.Gashi thotë se ka punuar edhe për paga prej 500 deri në 600 euro, në kushte ku, siç thekson, ndonjëherë mungonin edhe kushtet elementare për punëtorët.Ai nuk ia atribuon të gjitha dështimet padrejtësive apo të tjerëve, duke pranuar se edhe vendimet e tij kanë pasur ndikimin e vet. Por, sipas tij, kjo nuk e ndryshon pyetjen thelbësore: a duhet një qytetar të mbetet pa perspektivë në vendin e tij, pavarësisht përpjekjeve dhe përgatitjes profesionale?

Ndaj / Сподели