Lajmi ditës

Në cilat kompani në Maqedoni ka paga mbi 100.000 denarë?

Në cilat kompani në Maqedoni ka paga mbi 100.000 denarë?

Kanë fitime të mëdha, por sa paga japin? Portali Pari, në bashkëpunim me Biznis Mrezha, kërkon përgjigjen përmes analizës së pagave mesatare në kompanitë që ndodhen në listën e 100 kompanive më fitimprurëse. Në këtë listë përfshihen kompani me fitime nga 3 milionë euro deri në 73,15 milionë euro. Pagat variojnë nga 3.000 denarë në kompaninë tregtare me shumicë dhe pakicë MA Trust DOO Shkup, deri në 254.796 denarë në kompaninë për organizimin e lojërave të fatit Casinos Austria International Macedonia DOO Shkup. Megjithatë, si kompania me pagën më të lartë ashtu edhe ajo me pagën më të ulët janë specifike, pasi të dyja kanë vetëm nga një të punësuar.

Cilat kompani kanë pagat më të larta?

Një pagë mesatare prej 100.000 denarësh në Maqedoni nuk është e zakonshme. Megjithatë, 6 kompani nga lista e 100 më fitimprurëseve kanë pagë mesatare mbi 100.000 denarë.

Casinos Austria International Macedonia DOO Shkup ka një të punësuar me pagë rreth 4.000 euro në muaj. Të ardhurat e kompanisë janë 9,8 milionë euro, ndërsa fitimi neto 8,7 milionë euro. Kjo kompani është pronare në Lotarinë Shtetërore Video të Republikës së Maqedonisë.

Në vendin e dytë për pagën mesatare më të lartë është A Plus Inzhenering DOO Shkup, kompani ndërtimi, tregtie dhe shërbimesh. Ajo ka 6 të punësuar dhe një pagë mesatare prej 160.903 denarësh. Kompania ka realizuar të ardhura prej 12,4 milionë eurosh dhe fitim neto prej 4,2 milionë eurosh.

Në kompaninë e programimit kompjuterik Aksapta Masters DOO Shkup, paga mesatare është 135.570 denarë. Ajo ka 311 të punësuar, të ardhura vjetore prej 20,4 milionë eurosh dhe fitim prej 4,7 milionë eurosh.

Pothuajse e njëjta pagë mesatare paguhet edhe në kompaninë për prodhimin e energjisë elektrike dhe termike TE-TO AD Shkup. Aty mesatarja për 70 të punësuar është 133.743 denarë. Kompania vitin e kaluar realizoi të ardhura prej 159,1 milionë eurosh dhe fitim neto prej 10,6 milionë eurosh.

Ndaj / Сподели