Pak liderë biznesi kanë qenë aq thonësisht të rrënjosur në kulturën popullore sa Elon Musk, sipërmarrësi ambicioz i cili u kthye në një figurë qendrore të kulturës së internetit dhe grumbulloi një pasuri që e bëri atë trilionerin e parë në botë – respektivisht të parin që zotëron një mijë miliardë dollarë. Në një kohë kur shqetësimet për pabarazinë janë të larta dhe qëndrimi i publikut ndaj ultra-të-pasurve është përkeqësuar, Musk ka arritur të ruajë një grup ndjekësish besnikë me gjithë pasurinë e tij përrallore, pa pasur atë karizmën e thjeshtë dhe popullore që u ndihmoi manjatëve të tjerë, si Warren Buffett, të bëheshin të dashur për publikun e gjerë. Musk ka një ndikim të rëndësishëm në industrinë e automobilave, sektorin e hapësirës, inteligjencën artificiale dhe rrjetet sociale. Ndërsa adhuruesit e tij e konsiderojnë stilin e Muskut – të drejtpërdrejtë dhe pa filtra – si pjesë të magjepsjes së tij, kritikët e akuzojnë atë për zotërimin e një fuqie të ngjashme me atë të oligarkëve, shprehin shqetësime për menaxhimin e kompanive të tij dhe kundërshtojnë ndërhyrjet e tij politike gjithnjë e më partiake.
Megjithatë, “SpaceX” – kompania gjigante e raketave, satelitëve dhe inteligjencës artificiale, e cila së bashku me prodhuesin e makinave elektrike “Tesla” përbën bërthamën e perandorisë së Muskut – mblodh dje një vlerë rekorde prej 75 miliardë dollarësh përmes ofertës së saj të parë publike të aksioneve, gjë që nënvizoi entuziazmin e investitorëve për sipërmarrjet e tij biznesore. Përpara shitjes së aksioneve, “Forbes” e vlerësonte pasurinë e tij neto në rreth 780 miliardë dollarë, shumë përpara personit pasues në listë, bashkëthemeluesit të “Alphabet”, Larry Page.
”Njeriu i dytë më i pasur lëvizte rreth vlerës prej 300 miliardë dollarësh, që është më pak se një e treta e asaj që Musk potencialisht mund të vlejë nesër. Dhe vetëm një person tjetër, themeluesi i ‘Oracle’, Larry Ellison, ka arritur ndonjëherë një pasuri prej 400 miliardë dollarësh,” deklaroi Matt Duro, zëvendësredaktor në “Forbes Wealth”.
Pjesa më e madhe e pasurisë së Muskut tani është e lidhur me “SpaceX”, ku ai zotëron një pjesë me vlerë prej afërsisht 866 miliardë dollarësh. Së bashku me “Tesla-n” dhe asetet e tij të tjera, pasuria e tij neto do të kalojë 1.1 trilionë dollarë (1.1 mijë miliardë dollarë) kur aksionet të fillojnë të tregtohen sot, sipas vlerësimeve të “Forbes” dhe “Reuters” të bazuara në dokumentet korporative.
Musk u bë një emër i njohur në çdo familje përmes “Tesla-s” dhe “SpaceX-it”, përpara se të zgjeronte më tej ndikimin e tij me blerjen e rrjetit social Twitter për 44 miliardë dollarë në vitin 2022. Ajo marrëveshje i siguroi atij një kanal direkt me qindra miliona përdorues dhe e bëri atë një zë të shquar për çështje që variojnë nga politika dhe imigracioni, deri te shpenzimet shtetërore e liria e fjalës.
Përfshirja e tij në politikë, veçanërisht roli i tij në Departamentin e Efikasitetit Qeveritar të Presidentit amerikan Donald Trump vitin e kaluar, ishte ndër sipërmarrjet e tij më kontreverse. Pasojat politike korresponduan me rënien e shitjeve të “Tesla-s” në disa tregje ndërkombëtare në vitin 2025, kur protesta dhe bojkote nga konsumatorët u shënjestruan ndaj prodhuesit të automjeteve elektrike.
Musk, i cili është 54 vjeç, lindi në Pretoria të Afrikës së Jugut, nga një nënë kanadeze dhe babai afrikano-jugor. Ai studioi në Universitetin e Pensilvanisë, ku u diplomua në vitin 1997. Ai mori postin e CEO-t të Tesla-s në vitin 2008 me bindjen se automjetet elektrike mund të ofronin performancë të lartë të kombinuar me funksione të udhëhequra nga softueri, duke ndihmuar në rimodelimin e industrisë globale të automobilave. Disa analistë dhe vëzhgues të sektorit të automobilave vlerësojnë se suksesi i Tesla-s – dhe vlera e saj tregtare që kaloi një trilion dollarë – i nxiti prodhuesit tradicionalë të makinave që të ktheheshin drejt zhvillimit dhe prodhimit të automjeteve elektrike.
