Pas pesë vitesh pauzë, kompleksi luksoz turistik i Sveti Stefan në Mal të Zi pritet të rihapë dyert për turistët më 1 korrik, pas zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të gjata lidhur me qasjen në plazhe.
Vëmendjen më të madhe të publikut e kanë tërhequr çmimet e larta të shërbimeve në plazh. Sipas informacioneve të publikuara, hyrja në pjesën ekskluzive të plazhit arrin deri në 100 euro për person, ndërsa një set me dy shezllone dhe një çadër dielli kushton plot 300 euro në ditë.
Edhe në plazhet e tjera luksoze përreth, çmimet mbeten shumë të larta. Në varësi të lokacionit dhe shërbimeve të ofruara, setet me shezllone dhe çadër variojnë nga 120 deri në 250 euro në ditë, duke i renditur ndër më të shtrenjtat në të gjithë Adriatikun.
Kompleksi u mbyll në vitin 2021 pas mosmarrëveshjeve mes banorëve lokalë dhe menaxhmentit të hotelit lidhur me qasjen në plazhe. Banorët kërkonin qasje të lirë në bregdet, ndërsa operatori i hotelit insistonte që plazhet të mbeteshin ekskluzive për mysafirët e tij.
Pas negociatave që zgjatën disa vite, u arrit një kompromis: një pjesë e plazheve do të mbetet e hapur për publikun, ndërsa një plazh do të jetë i rezervuar ekskluzivisht për mysafirët e hotelit.
Rihapja e Sveti Stefanit pritet të tërheqë një numër të madh vizitorësh nga rajoni dhe mbarë bota, por çmimet e larta tashmë kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale. Shumë komentues theksojnë se me shumën e nevojshme për një ditë në plazh mund të paguhet një fundjavë e tërë pushimi ose një natë në një hotel të kategorisë së lartë në bregdetin e Adriatikut.
