Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve dhe urave në Tetovë, duke akuzuar koalicionin VLEN se po lejon rikthimin e simbolikës së ish-Jugosllavisë në qytet.
Në reagimin e saj, BDI vlerëson se arsyetimet e dhëna për këtë çështje janë “banale” dhe se ato flasin më shumë se deklaratat publike të përfaqësuesve të VLEN-it. Partia thekson se Tetova ka historinë, identitetin dhe figurat e saj dhe nuk meriton, sipas tyre, të kthehet pas në kohë përmes rikthimit të emërtimeve që qytetarët i kanë lënë pas prej vitesh.
BDI gjithashtu ngre një sërë pyetjesh publike drejtuar kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Partia kërkon sqarime nëse komuna është kontaktuar nga Gjykata Kushtetuese lidhur me lëndën në fjalë, cili ka qenë qëndrimi i saj gjatë procedurës dhe nëse ka pasur komunikim zyrtar ose jozyrtar me institucionin.
Po ashtu, BDI kërkon transparencë edhe për rolin e përfaqësuesve të VLEN-it në Qeveri dhe qëndrimin që ekzekutivi ka mbajtur para Gjykatës Kushtetuese në lidhje me emërtimet e miratuara në vitin 2007.
