Ministria e Punëve të Brendshme shënoi Ditën e Policisë vetëm në maqedonisht. Pa mbishkrime në shqip, pa adresim në gjuhën shqipe dhe pa asnjë shqiptar në listën e shpalljes së 12 policëve më të mirë. Edhe pse dekorimet përfshijnë pjesëtarë nga 8 sektorë dhe 4 qendra rajonale të MPB-së, pa përfaqësim mbeti edhe Tetova, ku shqiptarët përbëjnë shumicën.
Ministria e Brendshme, pa përgjigje se përse mungon shqipja dhe dekorimi i policëve shqiptarë.
Në fjalimin e tij, numri një i policisë, foli për investimet në përmirësimin e kushteve dhe efikasitetin e shërbimeve policore, duke nënvizuar se kanë arritur uljen e krimit dhe korrupsionit.
“Vitin e kaluar e përfunduam me uljen e krimit të përgjithshëm për më shumë se 6 për qind. Janë shkatërruar 16 grupe kriminale ku kanë vepruar 205 persona. NË pjesën e luftës kundër korrupsionit, janë realizuar më shumë procedura të rëndësishme, përfshirë edhe raste të profilit të lartë ndërsa janë shkatërruar 4 grupe kriminale. Veçanërisht është me rëndësi se krimi i përgjithshëm shënon ulje dhe është në nivelin më të ulët në 20 vitet e fundit. Efikasiteti është 67,2 për qind, që është më i larti në 20 vitet e fundit” – deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Aleksandar Janev, tha se policia e vendit, qëndron krah për krah me policinë bashkëkohore evropiane dhe botërore.
“ Investojmë në modernizim, makina të reja, pajisje më të mira, kushte më të mira për punë, fusim mekanizma digjitale, sisteme bashkëkohore dhe teknologji të reja. Por arma më e fortë e policisë nuk është teknologjia, janë policët e ndershëm, të trajnuar, të qëndrueshëm dhe profesionistë. Teknologjia ndihmon, pajisjet mbështesin, por njeriu është ai që i merr vendimet, e merr përgjegjësinë dhe e mbron besimin” tha drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.
