Lajmi ditës

Rama u frikësohet protestave: “A ta anuloj projektin?”

Rama u frikësohet protestave: “A ta anuloj projektin?”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së zhvilluar kundër investimit të planifikuar në zonën e Zvërnecit, duke hedhur poshtë kërkesat për anulimin e projektit dhe duke akuzuar organizatorët për manipulim të opinionit publik.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Rama tha se aktualisht nuk ekziston një projekt i përfunduar për t’u anuluar, pasi ai është ende në fazën e hartimit nga disa prej studiove më të njohura të arkitekturës në botë.

“Të anulloj projektin? Për këtë i thirrët në protestë njerëzit e mirë që ju erdhën pas edhe sot? Dakord jam, ma sillni projektin dhe e anullojmë! Po si i bëhet që ju s’keni çfarë sillni sepse nuk ka projekt? E dini pse nuk ka projekt? Sepse projekti po punohet nga pesë studio ndër më prestigjiozet në botë”, shkroi Rama.

Sipas tij, në hartimin e projektit janë angazhuar studio të njohura ndërkombëtare si Kengo Kuma, Bjarke Ingels, Jean Nouvel, Emre Arolat dhe K-Studio.

Kryeministri mohoi gjithashtu pretendimet se investimi ka lidhje me interesa izraelite, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra” dhe “manipulime”. Ai tha se bashkëinvestitorët e projektit janë partnerë amerikanë dhe investitorë nga Katari, mes tyre grupi Power Holding.

“Bashkëinvestitorët e sipërmarrjes më të madhe turistike në Mesdheun e sotëm të Europës janë miq të çmuar amerikanë të Shqipërisë dhe miq nga Katari. Këta të fundit janë bashkëpronarët e konglomeratit gjigand Power Holding”, u shpreh Rama.

Në fund të reagimit të tij, kreu i qeverisë akuzoi kundërshtarët e projektit se po zhvillojnë një “luftë të stisur me shpifje dhe manipulime”, duke shtuar se “e vërteta vonon, por nuk harron dhe gënjeshtrat tuaja kanë nisur që sot t’i nxjerrin këmbët e shkurtra”.

Ndaj / Сподели