Më shumë se 100 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit janë infektuar me norovirus në anijen turistike “Caribbean Princess”, por udhëtarët thonë se atmosfera në bord vazhdon të jetë pothuajse normale. Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, janë infektuar 102 nga gjithsej 3.116 pasagjerë, si dhe 13 anëtarë të ekuipazhit, ku simptomat kryesore ishin të vjellat dhe diarreja. Norovirusi është shumë ngjitës dhe përhapet lehtësisht në hapësira të mbyllura, siç janë anijet turistike, dhe përhapja e tij u raportua të enjten gjatë udhëtimit nëpër Karaibe që zgjat nga 28 prilli deri më 11 maj.
Kompania “Princess Cruises” njoftoi se menjëherë u forcuan masat sanitare dhe u krye dezinfektimi i çdo pjese të anijes. Pas mbërritjes në Port Canaveral më 11 maj, anija do t’i nënshtrohet një pastrimi dhe dezinfektimi të thellë përpara udhëtimit të radhës. Pasagjerët tregojnë se në bord vërehen rregulla më të rrepta, si larja më e shpeshtë e duarve, prania e dezinfektuesve kudo dhe ndalimi i vetëshërbimit në bufetë e hapura.
Pavarësisht rasteve të infektimit, shumë udhëtarë vazhdojnë të marrin pjesë në aktivitetet e anijes, duke u shprehur për mediat amerikane se mjafton të jesh i kujdesshëm dhe të respektosh masat, pasi atmosfera mbetet e zakonshme. Ky incident pason një rast të ngjashëm në mars, ku mbi 150 persona u infektuan me të njëjtin virus në një tjetër anije të kësaj kompanie.
Lajmi ditës
Më shumë se 100 persona janë infektuar me norovirus në një anije turistike në Karaibe
