Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se vendi i tij ende synon të shpërbëjë Hezbollahun pavarësisht armëpushimit në Liban, ndërsa presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se e kishte “ndaluar” Izraelin të sulmonte Libanin “më tej”.
Netanyahu tha se shkatërrimi i Hezbollahut të mbështetur nga Irani “nuk do të arrihej nesër”.
Deklarata e tij erdhi pasi Irani njoftoi se Ngushtica e Hormuzit ishte rihapur pas armëpushimit në Liban.
“Kjo kërkon përpjekje të vazhdueshme, durim dhe qëndresë, dhe kërkon navigim të mençur në fushën diplomatike”, tha Netanyahu.
Netanyahu theksoi se kishte rënë dakord për armëpushimin e përkohshëm në Liban, me kërkesë të Trump.
Reagimi i tij erdhi ndërsa Trump duket se po rrit presionin mbi Izraelin që të respektojë armëpushimin, i cili ka qenë një pikë ngërçi në negociatat me Iranin për një marrëveshje paqeje në luftën e nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli më 28 shkurt.
