Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e një operacioni të ri ushtarak në shkallë të gjerë kundër Iranit, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po kërkon përfshirjen e Uashingtonit në një fushatë të përbashkët sulmesh ajrore që mund të zgjasë nga katër deri në shtatë ditë. Sipas raportimeve të mediave amerikane, Netanyahu po përpiqet të bindë administratën Trump për nevojën e një ndërhyrjeje të re ushtarake ndaj Teheranit, duke ngritur shqetësime për programet e mundshme të armëve të ndaluara të Iranit.
Gazeta “New York Times” raporton se kryeministri izraelit dërgoi javën e kaluar në Uashington kreun e Mossadit, Roman Gofman, për t’u paraqitur zyrtarëve amerikanë informacione të inteligjencës, sipas të cilave Irani po zhvillon një program armësh kimike.
Ndërkohë, në një intervistë për Fox News të mërkurën, Trump deklaroi se kishte “indikacione se Irani po shqyrton gazin natyror dhe armët biologjike”.
Megjithatë, informacionet e paraqitura nga Izraeli nuk duket se kanë bindur të gjithë zyrtarët amerikanë.
Sipas Axios, brenda administratës amerikane ekzistojnë qëndrime të ndryshme mbi besueshmërinë e të dhënave të inteligjencës izraelite. Disa zyrtarë dyshojnë se vlerësimet mund të jenë “të nxitura nga një axhendë specifike”.
Pavarësisht diskutimeve për një ofensivë të re, mbeten pikëpyetje mbi rezultatet që mund të sjellë një operacion i tillë.
Një nga objektivat kryesorë të Uashingtonit është që Teherani të pranojë kërkesat amerikane për hapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe kufizimin e programit të tij bërthamor. Por sulmet e mëparshme ushtarake nuk kanë arritur t’i detyrojnë autoritetet iraniane të ndryshojnë qëndrim, duke ngritur dyshime nëse një fushatë e re bombardimesh do të mund të prodhonte rezultate të ndryshme.
Për momentin, sipas raportimeve të cituara, nuk është bërë i ditur ndonjë vendim përfundimtar i presidentit Trump për nisjen e operacionit.
