Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se do të japë dorëheqjen nga detyra të dielën, më 27 shtator, pas kthimit nga Nju Jorku, ku po merr pjesë në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Duke folur me gazetarët në Nju Jork, Vuçiç tha se do t’i drejtohej publikut rreth orës 8:00 të mbrëmjes të dielën dhe do të shpjegonte vendimin e tij. Ai kishte njoftuar më parë se do të jepte dorëheqjen pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara.
“Do të jap dorëheqjen të dielën në mbrëmje. Mendoj se do të jetë rreth orës tetë të mbrëmjes. Do t’ju informoj, do t’ju telefonoj të gjithëve dhe do të dëgjoni shpjegimin tim dhe gjithçka tjetër”, tha Vuçiç, sipas RTS.
Pas dorëheqjes, Vuçiç tha synon të marrë pjesë në fushatën zgjedhore parlamentare si qytetar i zakonshëm dhe jo si president. Ai pritet të kandidojë për postin e kryeministrit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të planifikuara për 25 tetor.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me së Industrisë Serbe të Naftës, presidenti Vuçiç tha se shpreson të dijë më shumë rreth zgjidhjes së çështjes brenda dy deri në tre ditësh, pas bisedimeve me Presidentin rus Vladimir Putin.
Vuçiç njoftoi gjithashtu se do të bisedonte me Presidentin rus Vladimir Putin para përfundimit të mandatit të tij presidencial. Ai tha se diskutimi do të përfshinte marrëveshjet e energjisë, situatën rreth kompanisë serbe të naftës NIS dhe operacionet e Hekurudhave Ruse në Serbi.
“Në ditët në vijim, para se të mbaroj mandatin tim, do të zhvilloj një bisedë me Presidentin Putin, kështu që, ky është lajmi për ju. Ne biseduam këtu, sigurisht, për marrëveshjet e energjisë dhe Industrinë e Naftës së Serbisë, folëm gjithashtu për punën e Hekurudhave Ruse në vendin tonë, për gjithçka”, tha Vuçiç.
Njoftimi i tij për dorëheqjen vjen, ndërsa Serbia përgatitet për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, mes tensioneve të vazhdueshme politike dhe protestave të udhëhequra nga studentët që kanë formësuar peizazhin politik të vendit. /A2
