Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, pritet të largohet nga detyra brenda javëve të ardhshme, mëson Tema.mk nga burime të mirëinformuara. Sipas këtyre burimeve, në Tiranë po shqyrtohen lëvizje të reja diplomatike, ndërsa një prej tyre mund të prekë edhe përfaqësinë shqiptare në Shkup. Lëvizja vjen në një moment kur në Shqipëri ka shpërthyer skandali rreth ish-kreut të SHISH-it, Vlora Hyseni, e cila u lirua nga detyra pasi ndaj saj u vendos masa e arrestit shtëpiak në kuadër të një hetimi të SPAK-ut. Autoritetet shqiptare kanë theksuar se çdo dyshim ndaj saj duhet të hetohet dhe të zbardhet në rrugë institucionale.Nëse largimi i Meidanit konkretizohet, pritet të hapet edhe gara për pasardhësin e tij në Ambasadën e Shqipërisë në Shkup.
Emri i ambasadorit të ri ende nuk është bërë i ditur dhe mbetet për t’u parë se kush do të jetë diplomati që do të marrë drejtimin e përfaqësisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.Kujtojmë se Denion Meidani u dekretua ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut në shkurt të vitit 2024./Tema.mk/
