Lajmi ditës

“UÇK-ja”, Ahmeti: Kam disa informacione se do ta padisin në Hagë

“UÇK-ja”, Ahmeti: Kam disa informacione se do ta padisin në Hagë

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, në një paraqitje në KohaCast, tha se ka informacione që në Gjykatën Kushtetuese ka iniciativa për të hapur çështjet e Tribunalit të Hagës, gjegjësisht paditjen e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).Ahmeti tha se nëse hapen plagët e vjetra, dhimbja është më e madhe se sa kur hapen plagë të reja.

“Kam informacione që ka iniciativa në Gjykatën Kushtetuese për të hapur çështjet e tribunalit të Hagës për t’u padit Ushtria Çlirimtare Kombëtare për krime lufte. Jo që më frikëson, por të hapësh plagë të vjetra dhimbja është më e madhe se sa kur hapet një plagë e re. Janë çështje që i kemi mbyllur më shumë se 20 vite më parë”, tha Ahmeti.

Duke folur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Ahmeti vlerësoi se partitë shqiptare kanë qenë bartëset kryesore të avancimit të saj, ndërsa kritikoi partitë maqedonase për mungesë angazhimi në promovimin e frymës së marrëveshjes.

“Partitë shqiptare kanë punuar shumë më tepër për promovimin e Marrëveshjes së Ohrit. U kam thënë edhe partive maqedonase se nuk kanë bërë sa duhet për t’ua shpjeguar qytetarëve maqedonas rëndësinë e saj. Ekziston bindja se me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit maqedonasit e humbasin shtetin, por kjo nuk është e vërtetë. Me Marrëveshjen e Ohrit kanë fituar edhe shqiptarët, edhe maqedonasit”, theksoi Ahmeti.

Ndaj / Сподели