Një djalë trevjeçar ka humbur jetën pasi mbeti i bllokuar në makinën e familjes në qytetin Saint-Gratien, në veri të Parisit, në kohën kur Franca po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit dhe temperatura rekord. Bëhet fjalë për rastin e tretë tragjik të kësaj natyre gjatë kësaj jave në Francë, raportojnë mediat franceze, duke iu referuar Prokurorisë së Pontoise, njofton Tema.mk
Sipas informacioneve të para nga hetimet, fëmija kishte hyrë në automjet ndërsa babai i tij mendonte se ai ishte duke fjetur. Vogëlushi nuk ka mundur të dalë nga makina, pasi ishte aktivizuar sistemi i sigurisë për fëmijë në dyer.
Prokurori publik Guirec Le Bras bëri të ditur se prindërit dhe zjarrfikësit u përpoqën ta reanimonin fëmijën, por fatkeqësisht pa sukses.
Nëna e fëmijës, e cila pësoi tronditje të rëndë psikologjike, u dërgua në spital për trajtim.
Ky është rasti i fundit në një seri ngjarjesh tragjike të lidhura me temperaturat ekstreme në Francë. Të hënën, trupat e pajetë të dy fëmijëve, të moshës dy dhe katër vjeç, u gjetën në makinën e familjes në një parking në jug të vendit./Tema.mk/
