Detaje të reja dalin në dritë nga ekzekutimi i Artan Myrtajt në Sarandë, që ndodhi të dielën e kaluar. Në pamjet që KLAN ka siguruar nga ngjarja, shihet momenti kur autori, i maskuar dhe me skafandër në kokë, i afrohet viktimës dhe qëllon në drejtim të tij.
Sipas pamjeve, autori mban dy armë në duar dhe vepron në një kohë shumë të shkurtër, përpara se të largohet nga vendi i ngjarjes.
Ngjarja ndodhi në një zonë të frekuentuar të Sarandës, duke shkaktuar panik te qytetarët dhe kalimtarët. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një person tjetër. Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura në vendngjarje.Hetuesit po punojnë për të zbardhur edhe motivin e kësaj ngjarjeje, ndërsa deri në këto momente nuk ka një autor të arrestuar të konfirmuar publikisht.Artan Myrtaj u vra paraditen e së dielës, më 20 shtator, në zonën e njohur si ish-Agjencia, në qytetin e Sarandës, ku, krahas tij, u plagos edhe një 73-vjeçar.
