Bota

Pas kërcënimeve të Trump për sulme ndaj infrastrukturës civile, Irani paralajmëron hakmarrje shkatërruese

Pas kërcënimeve të Trump për sulme ndaj infrastrukturës civile, Irani paralajmëron hakmarrje shkatërruese

Irani ka paralajmëruar për hakmarrje shkatërruese në rast se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli godasin objektiva civile në territorin e tij. Sipas mediave shtetërore iraniane, një zëdhënës i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya, struktura më e lartë operative ushtarake e vendit, deklaroi se çdo sulm i përsëritur ndaj civilëve do të pasohet nga “operacione shumë më shkatërruese”.

Ky paralajmërim vjen në një moment tensioni të lartë, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar publikisht me sulme ndaj infrastrukturës kritike të Iranit, përfshirë termocentralet dhe urat, nëse Teherani nuk rihap Ngushticën e Hormuzit brenda një afati të caktuar. Në një postim në rrjetet sociale, Trump përdori tone të forta dhe deklaroi se “e marta do të jetë dita e termocentraleve dhe urave në Iran”, duke paralajmëruar një ofensivë të mundshme. Fillimisht, ai kishte vendosur një afat 48-orësh që skadonte më 6 prill, por më pas e shtyu atë deri të martën në orën 20:00 sipas kohës lindore amerikane.

Presidenti amerikan ka ndryshuar disa herë afatet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një pikë strategjike kyçe për tregtinë globale të naftës. Në një intervistë për Fox News, ai u shpreh se ekziston një “mundësi e mirë” për arritjen e një marrëveshjeje, por paralajmëroi gjithashtu se mund të ndërmarrë masa ekstreme nëse negociatat dështojnë.

Ndërkohë, Trump njoftoi edhe shpëtimin e anëtarit të dytë të ekuipazhit të një avioni luftarak amerikan, i cili ishte rrëzuar mbi territorin iranian. Operacioni i shpëtimit, sipas tij, u realizua në territorin armiqësor dhe u paraqit si dëshmi e “epërsisë ajrore” të SHBA-së.

Ndaj / Сподели