Lëvizja Studentore Shqiptare ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve të fundit për shtyrjen e zgjidhjes së çështjes së organizimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke akuzuar institucionet për zvarritje të pajustifikuara dhe mospërmbushje të premtimeve të dhëna, shkruan gazeta KOHA.
Përmes një reagimi publik, përfaqësuesi i Lëvizjes Studentore, Mevlan Ademi, rikujtoi se autoritetet kishin premtuar se problemi do të zgjidhej brenda një jave, ndërsa tani, sipas tij, flitet për një afat prej më shumë se gjashtë muajsh. Ai thekson se ndërkohë gjenerata të tëra të studentëve të drejtësisë po diplomohen pa pasur mundësinë ta japin provimin profesional në gjuhën e tyre amtare, duke vlerësuar se çdo muaj vonesë nënkupton qindra të rinj që mbeten në pritje.
Ademi kundërshton edhe idenë që provimi të zhvillohet pjesërisht në shqip dhe pjesërisht në maqedonisht, duke e cilësuar këtë si një zgjidhje të papranueshme. “Na premtuan zgjidhje për një javë. Tani thonë se duhen gjashtë muaj ose më shumë. Ndërkohë, gjenerata të tëra juristësh po diplomohen pa mundësinë ta japin provimin në gjuhën e vet. Çdo muaj vonesë do të thotë qindra të rinj që presin. Zgjidhja që po propozohet tani është gjysma e provimit në shqip e gjysma në maqedonisht. As nuk na pyetën, as nuk e pranojmë. Gjysmë provimi nuk është gjysmë e drejtë, por një e drejtë e mohuar”, deklaron Ademi.
Ai rithekson se kërkesa e studentëve mbetet e pandryshuar dhe kërkon zbatim të menjëhershëm të legjislacionit në fuqi. “Kërkesa jonë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Kërkojmë zbatim të plotë dhe të menjëhershëm të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe organizimin e provimit të jurisprudencës tërësisht në gjuhën shqipe. Nuk pranojmë zvarritje dhe as premtime boshe”, thekson ai. Në fund të reagimit, Ademi përsërit sloganin që është bërë simbol i kësaj nisme studentore: “Fol shqip o taj!”, duke theksuar se e drejta për t’iu nënshtruar provimit profesional në gjuhën shqipe është një e drejtë ligjore dhe kushtetuese, e cila, sipas tij, nuk mund të negociohet dhe as të përgjysmohet. (koha.mk)
