Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, ka raportuar se, vetëm një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, gjyqtari Charles Smith ka vendosur vazhdimin e paraburgimit për Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin.
Sipas Mujkut, vendimi për vazhdimin e paraburgimit është marrë për një periudhë prej dy muajsh.
“Sikurse e kemi paralajmëruar për shkak të afateve, konfirmojmë lajmin e fundit se vetëm një ditë para shpalljes së aktgjykimit nga trupi gjykues për Thaçin e të tjerët, Charles Smith ka vendosur që t’ua vazhdojë edhe dy muaj paraburgimin Veselit dhe Krasniqit, duke qenë se vendimi i fundit për këtë rast ishte marrë më 15 korrik dhe sot ishte afati i fundit që të merrej një vendim i radhës”, ka raportuar Mujku nga Haga, transmeton Klankosova.tv.
