KF Vëllazërimi ka njoftuar dorëheqjen e kryesisë aktuale dhe pezullimin e përkohshëm të aktiviteteve të klubit, deri në formimin e një kryesie të re.
Në një njoftim drejtuar sportdashësve, bashkëfshatarëve dhe përkrahësve të klubit, kryesia ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas diskutimeve të shumta dhe me qëllim që t’i hapet rrugë një riorganizimi të klubit.
“Ky vendim nuk është i lehtë, por besojmë se është rruga më e drejtë për t’i dhënë klubit mundësinë të riorganizohet dhe të nisë një kapitull të ri”, thuhet në njoftim.
Kryesia ka shprehur mirënjohje për të gjitha kompanitë, individët, qytetarët dhe sportdashësit që kanë mbështetur KF Vëllazërimin gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, lojtarëve u është bërë thirrje që uniformat dhe pajisjet sportive t’i dorëzojnë te Gajuri, në shitore, për të përfunduar procesin e mbylljes së këtij kapitulli.
Në fund të njoftimit, kryesia ka theksuar se dorëheqja dhe pezullimi i aktiviteteve nuk duhet të nënkuptojnë fundin e KF Vëllazërimit, duke shprehur shpresën se një kryesi e re do ta rikthejë klubin aty ku e meriton.
