Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, së bashku me përfaqësues të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), ka zhvilluar një takim me qytetarët në Gurguricë, ku është prezantuar programi i kandidatit të tyre për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji.
Ahmeti theksoi se Bërvenica meriton përfaqësim të përgjegjshëm dhe zhvillim, ndërsa shprehu bindjen se Jahiji përfaqëson alternativën që do t’u mundësojë qytetarëve të vendosin vetë për të ardhmen e komunës.
“Sonte, së bashku me përfaqësuesit e Aleancës Kombëtare për Integrim, në Gurguricë, takuam qytetarët për të bashkëbiseduar mbi vizionin tonë për Bërvenicën dhe për të prezantuar programin e kandidatit tonë për kryetar komune, z. Arkin Jahiji.
Bërvenica meriton përfaqësim dinjitoz, të denjë dhe të përgjegjshëm. Gurgurica dhe çdo vendbanim i komunës meritojnë një kryetar që i përfaqëson interesat e qytetarëve, që nuk luan me fatin e tyre, që nuk e dorëzon Bërvenicën te të tjerët dhe që nuk e tjetërson vullnetin e qytetarëve, ashtu siç ndodhi para një viti.Jam i bindur se qytetarët e Bërvenicës e dinë se ku qëndron alternativa e dinjitetshme dhe premtuese. Ajo është te Arkin Jahiji, te vizioni i tij dhe te përkushtimi për një Bërvenicë që vendos vetë për të ardhmen e saj.Bërvenica meriton dinjitet, përfaqësim dhe zhvillim!Arkin Jahiji, kryetar i Bërvenicës!”, ka shkruar Ahmeti.
