Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka nisur procedurë hetimore ndaj një 51-vjeçari, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje.
Sipas Prokurorisë, më 25 qershor, në afërsi të fshatit Letevcë, gjatë një rasti të dhunës në familje, i dyshuari e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij. Më herët atë mbrëmje, ai e kishte marrë me veturë nga vendi i punës dhe e kishte dërguar në një zonë të izoluar, ku e sulmoi fizikisht.
Hetimet tregojnë se ai i ushtroi presion në qafë dhe njëkohësisht ia mbuloi gojën dhe hundën, duke ia pamundësuar frymëmarrjen. Pavarësisht rezistencës së viktimës, ajo u mbyt në vendngjarje.
Pas krimit, i dyshuari e fshehu trupin nën degë pemësh, ndërsa të nesërmen raportoi në polici se bashkëshortja ishte zhdukur. Më 27 qershor, ai u tha tre të njohurve se e dinte vendndodhjen e saj, duke pretenduar se gruaja i ishte shfaqur në ëndërr dhe i kishte treguar ku ndodhej. Kur shkuan në vendin e treguar, ata gjetën trupin dhe njoftuan menjëherë policinë.
Prokuroria vlerëson se ekziston rrezik arratisjeje, ndikimi mbi dëshmitarët dhe mundësia e përsëritjes së veprës penale. Gjithashtu, theksohet se i dyshuari kishte planifikuar krimin dhe më pas ishte përpjekur ta fshihte atë, duke krijuar përshtypjen e një bashkëshorti të shqetësuar që merrte pjesë aktivisht në kërkimet për viktimën.
Për këto arsye, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Penale të Shkupit caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Lajmi ditës
Detaje të reja për vr’asjen në Shkup: E mbyti bashkëshorten, më pas pretendoi se ajo iu shfaq në ëndërr për ta gjetur trupin
