Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, nga Konventa promovuese e kandidatit për kryetar të Bërvenicës, Jakup Huseini, në Çellopek, përcolli mesazhin e unitetit të VLEN-it, duke deklaruar se koalicioni është i bashkuar dhe i konsoliduar për zgjedhjet e 18 tetorit.Kasami tha se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Bërvenicë duhet të jenë vazhdimësi e fitores së VLEN-it në zgjedhjet lokale, duke e cilësuar komunën si fitoren e 11-të që synon ta marrë VLEN-i.“VLEN-i është i bashkuar, i konsoliduar dhe unik. Të gjithë pas Jakupit në Bërvenicë, të gjithë në krye të përgjegjësisë për përfaqësimin e shqiptarëve”, tha Kasami.Ai tha se uniteti i VLEN-it është përgjigje ndaj, siç u shpreh, përpjekjeve për përçarjen e këtij projekti politik.“Ne e shohim se ata janë dorëzuar. Ata e pranojnë se nuk mund ta mundin VLEN-in e bashkuar. Shpresa e tyre e vetme është përçarja e VLEN-it”, tha Kasami.Sipas tij, VLEN-i do të vazhdojë i bashkuar, duke theksuar se ky projekt është më i madh se interesat individuale dhe se çdo përpjekje për përçarje nuk do ta ndalë.“Ky projekt është shumë më i madh dhe më i rëndësishëm sesa çdo interes meskin. Më i madh se çdo emër i përveçëm dhe më i qëndrueshëm përballë çfarëdo tentimi për të futur përçarje”, deklaroi Kasami.Kasami foli edhe për mbështetjen që pushteti qendror, sipas tij, do t’i japë Komunës së Bërvenicës nëse Jakup Huseini merr mandatin e kryetarit, duke përmendur përfundimin e çerdhes në Çellopek, sallën sportive, përmirësimin e kushteve në shkolla, infrastrukturën dhe menaxhimin e mbeturinave.Ai tha se VLEN-i, përmes komunave që udhëheq, tashmë ka krijuar një model të qeverisjes që, sipas tij, dëshmohet përmes investimeve dhe projekteve konkrete.“Ky tren nuk ndalet. Shqiptarët nuk kthehen më prapa. Koha e tyre ka mbaruar. Këtë do ta dëshmojmë edhe me 18 tetor, me fitoren e Jakupit në Bërvenicë. Ora e zhvillimit erdhi edhe për Bërvenicën”, përfundoi Kasami.
Lajmi ditës
Kasami nga Çellopeku: VLEN-i është i bashkuar, i konsoliduar dhe unik
