Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut po avancon në disa fusha me interes të përbashkët, duke veçuar projektet infrastrukturore, energjinë dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.
Në një deklaratë për TV KOHA, Haxhiu tha se tashmë janë ndërmarrë hapa konkretë për eliminimin e procedurave burokratike dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë ndërmjet dy vendeve.
Ajo theksoi se po punohet intensivisht për projektin rrugor Prizren–Tetovë, për të cilin, sipas saj, tashmë është përfunduar projekti dhe pritet hapja e procedurës së tenderimit.
“Po punohet me intensitet në rrugën Prizren-Tetovë. Tashmë është bërë projekti dhe do të hapet tenderi”, deklaroi Haxhiu.
Sipas saj, një tjetër projekt me rëndësi të veçantë është edhe rruga Bllacë-Shkup, e cila përfaqëson një investim të madh dhe që pritet të nisë së shpejti.
Haxhiu nënvizoi gjithashtu rëndësinë e investimeve në sigurinë energjetike, duke e cilësuar atë si një prioritet strategjik për të dy vendet.
Ajo shtoi se në periudhën e ardhshme fokus i veçantë do t’i kushtohet edhe fuqizimit ekonomik dhe krijimit të kushteve më të favorshme për bizneset.
“Kemi bërë lehtësime të ndryshme gjatë qeverisjes në mënyrë që funksionimi i bizneseve të ndërsjella ose operimi i tyre në Republikën e Kosovës të jetë sa më i lehtë”, tha Haxhiu.
Sipas saj, bashkëpunimi mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të zgjerohet edhe në fusha të tjera, përfshirë qarkullimin e mallrave, arsimin dhe sektorë të tjerë me interes të përbashkët.
