Sistemi pensional në Maqedoninë e Veriut vazhdon të përballet me probleme serioze financiare, pasi nuk është në gjendje t’i mbulojë vetë pagesat e pensioneve. Shteti detyrohet të financojë më shumë se një të tretën e buxhetit të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor (PIOM), ndërsa revizioni i fundit për vitin 2024 ka evidentuar borxhe milionëshe, vonesa në pagesa, pasuri të paevidentuara dhe dobësi në procedurat e prokurimeve publike.
Veçanërisht shqetësues është fakti se deri në fund të shkurtit të këtij viti, PIOM kishte një borxh prej 136.4 milionë eurosh për sigurimin shëndetësor të pensionistëve. Po ashtu, kontributet e papërcaktuara ndaj fondeve private pensionale arrijnë vlerën e 42.2 milionë eurove.
Për shkak të këtyre parregullsive, Enti Shtetëror i Revizionit ka dhënë opinion negativ si për pasqyrat financiare, ashtu edhe për përputhshmërinë e funksionimit të fondit me legjislacionin në fuqi.
“Me revizionin e kryer për vitin 2024 është dhënë opinion negativ për paraqitjen e drejtë dhe objektive të gjendjes financiare dhe rezultateve të aktiviteteve financiare, si dhe për harmonizimin e transaksioneve financiare me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e përcaktuara”, thuhet në raportin e revizorëve.
Megjithëse gjatë vitit 2024 të hyrat nga kontributet për sigurim pensional dhe invalidor u rritën me 14 për qind dhe arritën në 71.4 miliardë denarë, ato sërish nuk mjaftuan për të mbuluar shpenzimet për pensione, të cilat kapën vlerën mbi 90.2 miliardë denarë.
Raporti thekson se rritja e të ardhurave nuk ka qenë e mjaftueshme për të ndjekur ritmin e rritjes së shpenzimeve për pensione, të cilat vazhdojnë të shtohen çdo vit.
Si rezultat, shteti është detyruar edhe në vitin 2024 të ndërhyjë me transfere të konsiderueshme buxhetore. Këto transfere kanë përbërë 36.71 për qind të të ardhurave totale të fondit, që paraqet një rritje prej 4.14 për qind krahasuar me vitin paraprak.
