Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha i cili para dy muajsh përdori gjuhë fyese ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut duke i quajtur idiotë, ka dënuar ashpër heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Izraelit në Tiranë gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e së shtunës. Në reagimin zyrtar theksohet se veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes apo protestën paqësore, por përbëjnë akte urrejtjeje dhe intolerancë, të papajtueshme me vlerat demokratike dhe standardet evropiane që Shqipëria promovon.
Sipas Ministrisë, ky incident bie ndesh me traditën shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin, duke nënvizuar se akte të tilla nuk përfaqësojnë Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë. Në deklaratë theksohet se shoqëria shqiptare historikisht është karakterizuar nga bashkëjetesa dhe respekti ndaj të gjitha komuniteteve dhe vendeve mike.
Ministria riafirmon angazhimin e Shqipërisë për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Gjithashtu shprehet solidariteti me Ambasadën e Izraelit në Tiranë, duke theksuar se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.
