Një vajzë 13-vjeçare nga Britania e Madhe ka përfunduar në spital me hundë të thyer pasi u godit me grusht në fytyrë gjatë një sherri masiv në pishinën e një hoteli në Santa Susanna, në Costa Brava të Spanjës.
Sipas mediave britanike, ngjarja nisi pasi adoleshentja u ul në një shezlong të lirë, pa e ditur se ai përdorej nga një familje vendase. Në vend që t’i kërkonin të ngrihej, një burrë dyshohet se e sulmoi menjëherë duke e goditur në fytyrë.
Pas kësaj shpërtheu një përleshje e madhe mes dhjetëra personave. Në pamjet e publikuara shihen turistë duke u përplasur fizikisht, ndërsa dëgjohen britma paniku. Dëshmitarët thanë se situata ngjante me një “sulm terrorist” ose “trazira të vërteta”, ndërsa gota dhe pije fluturonin në të gjitha anët. Policia dhe ambulancat ndërhynë për të vënë situatën nën kontroll. Vajza e lënduar u dërgua në spital, ndërsa familja e saj u transferua në një hotel tjetër për arsye sigurie.
Dëshmitarët deklaruan se shumë mysafirë u mbyllën në dhomat e tyre nga frika, ndërsa personeli i hotelit thuhet se ishte i frikësuar për të larguar grupin që shkaktoi incidentin.
