Lajmi ditës

Kallëzime penale për investitorin dhe inspektoren – Policia jep detaje

Kallëzime penale për investitorin dhe inspektoren – Policia jep detaje

SPB Kumanovë ka ngritur kallëzime penale ndaj dy 52-vjeçarëve nga Kumanova për shkak të dyshimeve për shkatërrim të trashëgimisë kulturore të mbrojtur, ndërtim pa leje, uzurpim të tokës shtetërore dhe punë të pandërgjegjshme në shërbim.
Sipas informacioneve të policisë, i dyshuari i parë gjatë vitit 2023 ka rrënuar shtëpinë në të cilën ishte vendosur pllaka përkujtimore e heroit popullor Kiro Nacev Fetak. Objekti ishte i evidentuar si trashëgimi kulturore e mbrojtur dhe figuron në regjistrin e monumenteve përkujtimore të Komunës së Kumanovës.
Pas rrënimit, ai në cilësinë e investitorit ka ndërtuar në të njëjtin lokacion një objekt të kategorisë së dytë pa siguruar leje ndërtimi nga sektori kompetent komunal për urbanizëm. Gjithashtu, sipas kallëzimit, objekti është ndërtuar në tokë në pronësi të shtetit.
E dyshuara e dytë, e cila në atë periudhë ka ushtruar detyrën e inspektores së autorizuar të ndërtimit, dyshohet për punë të pandërgjegjshme në shërbim. Sipas pretendimeve, ajo ka nxjerrë vendim mbi bazën e një gjendjeje faktike të paplotë dhe të pasaktë, edhe pse kishte detyrimin që ta verifikonte plotësisht gjendjen në terren.
Institucionet kompetente do t’i shqyrtojnë dhe vërtetojnë të gjitha rrethanat që lidhen me rastin në procedurën e mëtejshme.

Ndaj / Сподели