Një grua 85-vjeçare ka humbur jetën në një zjarr që shpërtheu gjatë natës në një shtëpi familjare në lagjen Pintija të Shkupit.
Sipas informacioneve jozyrtare të “Skopje1”, zjarri ka shpërthyer në katin përdhes të shtëpisë, ndërsa gruaja nuk ka arritur të dalë me kohë.
Ekipi i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen në vendngjarje, ndërsa personave të tjerë u është dhënë ndihma e parë.
Nga MPB njoftojnë se rasti është raportuar në ora 01:48.
“Në SPB Shkup është raportuar se në një shtëpi, pronë e S.K. (45), ku jetonte edhe nëna e saj M.V. (85), në lagjen Pintija në Shkup, ka rënë zjarr. Si pasojë e lëndimeve të marra nga zjarri, M.V. ka ndërruar jetë, ndërsa vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ndihmës së Shpejtë”, thuhet në njoftimin e policisë për Skopje1.
Zjarri është shuar nga Brigada për Mbrojtje Kundër Zjarrit e Shkupit, ndërsa gjatë ditës do të kryhet ekspertizë për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit të zjarrit.
