Një postim prekës në rrjetet sociale i nënës së njërit prej djemve që humbën jetën në aksidentin e rëndë në unazën e Shkupit ka prekur mijëra qytetarë, përcjellë Tema.mk.
Aksidenti tragjik ndodhi më 21 maj rreth orës 23:00, kur një kamion doli nga rruga, theu mbrojtësen anësore dhe kaloi në korsinë e kundërt. Kamioni u përplas drejtpërdrejt me një automjet, i cili nga forca e goditjes u përfshi nga flakët. Zjarri më pas përfshiu edhe kabinën e kamionit. Në rrjetet sociale, miqtë dhe të afërmit po shpërndajnë fjalët prekëse të nënës së Petar Milanovit, të cilat kanë emocionuar shumë njerëz.
“Biri im, më i bukuri im, më i dashuri im, ti ishe lumturia ime e parë, dashuria ime më e madhe. Ishe djali më i mirë që një nënë mund të dëshironte dhe gjithmonë më bëje krenare. Zoti ma mori shumë herët. Dhimbja është e pafundme. Uroj që engjëjt të kujdesen për ty. Është tepër e vështirë ta imagjinoj jetën pa ty. Të dua më shumë se gjithçka dhe do të të dua përgjithmonë, biri im.”
