Në një konferencë për shtyp sot, Imrane Veliu nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) akuzoi se punimet ndërtimore që po zhvillohen këto ditë në parcelën afër varrezave në Bllacë kanë shqetësuar opinionin publik, pasi sipas të dhënave të tyre zyrtare, toka figuron si pronë e kompanisë “Flamingo Casino”.
“Nëse konfirmohet se aty po ndërtohet objekt për veprimtari të lojërave të fatit, atëherë kemi të bëjmë me një nga vendimet më të papërgjegjshme dhe më fyese ndaj ndjenjave të qytetarëve. Varrezat nuk janë vend për kazino. Varrezat nuk janë zonë për bixhoz. Varrezat nuk janë hapësirë për fitim komercial. Ato janë vende dinjiteti. Dhe çdo tentim që pranë tyre të vendoset industri e lojërave të fatit është provokim i rëndë ndaj familjeve, ndaj besimtarëve dhe ndaj çdo norme njerëzore”, ka thënë Veliu.
Ajo ka kërkuar që të publikohet destinimi real i objektit dhe gjithë dokumentacioni përkatës, të ndalen punimet deri në sqarimin e plotë të rastit, të hetohet se si është lejuar një veprimtari e tillë pranë varrezave si dhe të respektohet vullneti dhe ndjeshmëria e qytetarëve të kësaj zone.
“Dhe në fund, si shtesë e domosdoshme: qytetarët kanë të drejtë të dinë pse kjo qeveri tërhoqi edhe ligjin me të cilin premtonte largimin e lojërave të fatit nga afërsia e shkollave dhe zonave të ndjeshme. Sot, kur shohim çfarë po ndodh pranë varrezave, ajo pyetje bëhet edhe më e rëndë”, ka shtuar Veliu.
