Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Çair ka reaguar ashpër ndaj nisjes së punimeve pranë varrezave në Bllacë, duke e cilësuar rastin si “skandal të rëndë” dhe duke kërkuar sqarime urgjente nga institucionet kompetente.
Sipas reagimit të kësaj dege partiake, punimet po zhvillohen në një parcelë që, sipas të dhënave zyrtare, figuron në pronësi të “Flamingo Casino”, në afërsi të varrezave, vend ku qytetarët përcjellin më të dashurit e tyre.
Reagimi i plotë i BDI-Dega e Çairit:
Skandal i rëndë në Bllacë. Pranë varrezave, aty ku qytetarët përcjellin më të dashurit e tyre, kanë nisur punime në parcelë që sipas të dhënave zyrtare, figuron në pronësi të Flamingo Casino.
Qeveria që premtoi largimin e kazinove nga shkollat dhe zonat e banuara, sot po i sjell pranë varrezave.
Ky veprim paraqet fyerje për familjet, për besimtarët dhe për ndjenjat e qytetarëve.
Kërkojmë sqarim urgjent nga institucionet kompetente: kush ka dhënë leje, për çfarë objekti bëhet fjalë dhe si është lejuar një ndërhyrje e tillë pranë varrezave të Bllacës.
