Kronika e zezë

Arrestohen dy të punësuar në Gjykatën Penale të Shkupit, të dyshuar për korrupsion dhe kërkim ryshfeti

Arrestohen dy të punësuar në Gjykatën Penale të Shkupit, të dyshuar për korrupsion dhe kërkim ryshfeti

Dy persona të angazhuar në Gjykatën Penale të Shkupit janë arrestuar nën dyshimin për përfshirje në aktivitete korruptive dhe kërkim ryshfeti, mëson jozyrtarisht portali “Press24”.
Sipas informacionit, njëri nga personat, i punësuar si polic gjyqësor, i ka kërkuar 1.000 euro një pale në një proces gjyqësor, duke premtuar se do të ndërmjetësonte dhe do të “korruptonte” një gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkup, me qëllim që çështja të zgjidhej në favor të palës. Pasi vendimi i çështjes përfundoi në mënyrë të pafavorshme për të dëmtuarin, rasti është dërguar në Gjykatën Supreme.


Në atë fazë, i dyshuari sërish ka kontaktuar palën dhe ka kërkuar edhe 500 euro shtesë, duke pretenduar se do të ndikonte te vendimi i gjyqtarëve në Gjykatën Supreme. Në vend që të paguante shumën, i dëmtuari e ka raportuar rastin në polici.


Pas një takimi të organizuar më herët, polici gjyqësor është kapur me para të shënuara dhe menjëherë është arrestuar. Gjykata kompetente i ka caktuar masën e paraburgimit. Gjatë hetimit, nga telefoni i të dyshuarit janë siguruar të dhëna për komunikim me disa persona. Analiza ka treguar se ai, në këtë dhe raste të tjera të ngjashme, dyshohet se ka bashkëpunuar me një person të dytë – i punësuar në gjykatë si dorëzues gjyqësor.

Edhe për të dyshuarin e dytë është caktuar masa e arrestit shtëpiak. Autoritetet hetimore po e vazhdojnë procedurën për zbardhjen e plotë të rastit dhe për të përcaktuar nëse ka përfshirje edhe të personave të tjerë.
Kjo informacion, për momentin, nuk është konfirmuar zyrtarisht nga institucionet kompetente.

Ndaj / Сподели