Lajmi ditës

Tronditet Kumanova! Rrjet zhvatjeje me kërcënime, borxhe e dokumente të falsifikuara – në skemë dyshohet edhe një noter!

Tronditet Kumanova! Rrjet zhvatjeje me kërcënime, borxhe e dokumente të falsifikuara – në skemë dyshohet edhe një noter!

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur hetime ndaj katër personave, të dyshuar për organizim kriminal, zhvatje dhe pastrim parash. Në krye të grupit dyshohet se qëndronte një person nga Kumanova.

Sipas Prokurorisë, grupi kishte vepruar që nga viti 2021, duke kërcënuar qytetarët dhe duke shfrytëzuar varësinë e tyre nga borxhet për të zhvatur para dhe për të përdorur llogaritë e tyre bankare.

Në një rast, një grua kishte marrë hua 4.000 euro, me detyrimin për të paguar edhe 2.500 euro kamatë brenda një muaji. Megjithëse e kishte shlyer borxhin, të dyshuarit dyshohet se e kishin kërcënuar dhe, përmes dokumenteve të falsifikuara, i kishin marrë automjetin dhe i kishin kërkuar pagesa të tjera.

Në skemë dyshohet se është përfshirë edhe një noter, i cili kishte vërtetuar dokumente me nënshkrime të falsifikuara. Ndaj tij janë kërkuar masa kujdesi.

Në një rast tjetër, një qytetar që kishte marrë hua për shërimin e bashkëshortes, edhe pas kthimit të parave ishte detyruar të lejonte përdorimin e llogarisë së tij bankare për transferimin dhe tërheqjen e shumave të mëdha të dyshuara si të ardhura nga zhvatja.

Prokuroria ka kërkuar paraburgim për tre të dyshuar, ndërsa personi i katërt ndodhet jashtë vendit.

Ndaj / Сподели