Një lajm të keq nga Haga ka dhënë Astrit Huskaj, kreu i veteranëve të UÇK-së në Amerikë, gjatë intervistës në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në DritareTV. Sipas Huskajt, informacionet që ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë marrë nga kontaktet amerikane tregojnë se katër ish-krerët e UÇK-së pritet të dënohen.
“Unë kam informacione që do të dënohen”, deklaroi Huskaj, duke iu referuar Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ai tha se informacionet vijnë nga bisedat dhe kontaktet që kanë pasur me amerikanët, ndonëse theksoi se në komunikimin diplomatik nuk jepen përgjigje të drejtpërdrejta.
“Amerikanët kurrë nuk thonë po ose jo në gjuhën diplomatike apo në gjuhën e shërbimit. Po ta sjellin muhabetin që ti ta kuptosh se çfarë do të ndodhë”, tha Huskaj në “Dekalog”.
Megjithatë, ai la hapur edhe një mundësi të fundit. Sipas tij, SHBA-ja mund të ndërhyjë në minutën e fundit që të paktën një prej të akuzuarve, për shembull Hashim Thaçi, të shpallet i pafajshëm, çka sipas tij do të rrëzonte pretendimin për një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.
“Një fije shprese pas të gjitha këtyre lajmeve jo të mira që kemi është që mundet, megjithatë, Amerika në minutën e fundit njërin, supozojmë Thaçin, ta lirojë vetëm që të prishet aktakuza, që të mos jetë ndërmarrje e përbashkët kriminale. Megjithatë, po e përsëris, unë nuk e besoj”, u shpreh ai.
