Në mbështetje të krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, mbrëmë në Shipkovicë u ndez “Flakadani i Lirisë”, një aktivitet përkujtimor dhe solidarizues me ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Aktiviteti u organizua nga Këshilli Organizativ i Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, në sheshin e UÇK-së në Shipkovicë, ku morën pjesë qytetarë, miq dhe veteranë të luftës.
Në këtë tubim u përcollën mesazhe mbështetjeje për krerët e UÇK-së dhe u bë thirrje për drejtësi e trajtim të drejtë të procesit gjyqësor.
Të pranishmit që morën fjalën theksuan rëndësinë e solidaritetit me ish-drejtuesit dhe pjesëtarët e UÇK-së, duke kërkuar që në proceset në Hagë të mbizotërojë drejtësia dhe të respektohen të drejtat e të akuzuarve.
Nga folësit u përcoll edhe mesazhi se sakrifica e atyre që luftuan për lirinë e shqiptarëve duhet të kujtohet dhe të nderohet.
