Rihapja e hetimit për vdekjen e ish-pjesëtarit të MİT-it, Kaşif Kozinoğlu, ka rikthyer në qendër të vëmendjes serialin e famshëm turk “Kurtlar Vadisi”, për shkak të ngjashmërive të pretenduara mes ngjarjeve në serial dhe zhvillimeve reale. Në kuadër të hetimit të rihapur për vdekjen e Kozinoğlu-t, i cili humbi jetën në vitin 2011 në burgun e Silivrit, në polici janë marrë në pyetje edhe skenaristët e “Kurtlar Vadisi”, Raci Şaşmaz, Bahadır Özdener dhe Cüneyt Aysan.
SKENARISTËT U MORËN NË PYETJE
Pas anulimit të vendimit të mëparshëm për mosndjekjen penale, hetimi për vdekjen e Kaşif Kozinoğlu-t është rihapur. Skenaristët e serialit u paraqitën në Gjykatën e Silivrit, ku dhanë deklarata në cilësinë e personave që kanë dijeni për çështjen. Sipas raportimeve, atyre iu drejtuan pyetje lidhur me ngjashmëritë mes disa personazheve dhe ngjarjeve të paraqitura në serial dhe zhvillimeve reale, përcjellë Tema.mk. Në veçanti, po shqyrtohet edhe ngjashmëria mes personazhit “Kazım Kaşifoğlu” në “Kurtlar Vadisi” dhe Kaşif Kozinoğlu-t, si dhe koha e ngjarjeve të paraqitura në serial.
“BRENDA NJË JAVE DO TË NDODHTE E NJËJTA GJË”
Në këtë kontekst janë rikthyer në vëmendje edhe deklarata të bëra vite më parë nga pjesëtarë të ekipit të serialit Aktori Adnan Biricik kishte deklaruar: “Një javë më pas do të ndodhte e njëjta gjë.” Ndërsa regjisori dhe producenti Osman Sınav, vite më parë, kishte përdorur një tjetër deklaratë që tashmë po rikthehet në diskutim:
“Për lajmet e një jave më pas, shikoni ‘Kurtlar Vadisi’.
ÇFARË THANË SKENARISTËT?
Në deklaratën e tij, Raci Şaşmaz ka mohuar që seriali të ketë marrë informacione apo dokumente të veçanta nga ndonjë institucion shtetëror, strukturë legale apo ilegale.
Sipas deklaratës së tij, skenarët e serialit janë përgatitur duke u bazuar në burime të hapura dhe zhvillimet aktuale. Rihapja e hetimit dhe marrja në pyetje e skenaristëve ka rikthyer kështu një prej diskutimeve më të vjetra rreth “Kurtlar Vadisi”: sa nga ngjarjet e serialit ishin thjesht trillim dhe sa ishin të frymëzuara nga ngjarje reale?
Përshtatur dhe përkthyer nga mediet turke
Tema.mk
