Të paktën gjashtë palestinezë, përfshirë një fëmijë, janë vrarë në një sulm ajror izraelit ndaj një zone pranë portit të qytetit të Gazës, ndërsa më shumë se një duzinë personash janë plagosur.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, sulmi goditi një kafene ku ishin strehuar persona të zhvendosur. Spitali Shifa në qytetin e Gazës raportoi se kishte marrë pesë trupa dhe 13 të plagosur, ndërsa një prej të plagosurve ndërroi jetë pak më vonë.
Dëshmitarët thanë se shpërthimi goditi kafenenë “Sweet and Bitter”, në portin e peshkimit në pjesën perëndimore të qytetit. Sipas dëshmive, shpërthimi i hodhi disa prej viktimave në det.
Ushtria izraelite konfirmoi se kishte kryer një “sulm ajror preciz”, duke deklaruar se objektivi ishin komandantë të Hamasit që po planifikonin sulme kundër forcave izraelite në Rripin e Gazës.
Në një deklaratë tjetër, ushtria izraelite tha se kishte goditur një takim të drejtuesve të një njësie elitare të Hamasit, ku ndodhej edhe një person që, sipas saj, kishte marrë pjesë në sulmet e 7 tetorit 2023.
