Gjurmët biologjike të gjyqtarit Gjoko Ristov janë gjetur në fletët e aluminit me të cilat janë mbështjellë 350 mijë eurot e gjetura në bunkerin special te shtëpia e prindërve të tij. Nëpërmjet ekspertizës, organi i akuzës mohon pretendimet e mbrojtjes se paratë janë të prindërve të gjyqtarit, të cilat i kanë fituar nëpërmjet shitjes së rrushit apo pronave. Prokurorja Iskra Haxhivasilevska konfirmoi se në vendin ku janë gjetur paratë, janë gjetur edhe disa shkresa në të cilat ka pasur të shkruara numra evidentues të lëndëve gjyqësore, e të cilat asociojnë me detyrën që ka ushtruar Ristovi, tanimë i akuzuar për fshehje të pasurisë dhe pastrim parash.
“Prokuroria nëpërmjet provave që i ka mbledhur, praktikisht deri në momentin e fundit të hetimit, thjeshtë do të arrijë t’i demantojë të gjitha ato argumente që mbrojtja i ka ofruar si argumente lidhur me veprat që akuzohet”.“Gjatë hetimit kemi siguruar prova të pakundërshtueshme se mu i akuzuari Gjoko Ristov është ai i cili i fshehë paratë, të cilat janë pronë e përfituar në mënyrë të paligjshme”. “E konstatuam me ekspertizë të gjurmëve biologjike”, deklaroi Iskra Haxhivasilevska, Prokurore.
Lidhur me çështjen Fehmi Stafa, i cili u dënua me 15 muaj burg pasi kishte kërkuar 100 mijë euro pikërisht për ta korruptuar gjyqtarin Ristov, nga organi i akuzës thonë se pavarësisht deklaratës së Stafës, nuk e dinë nëse 350 mijë eurot e gjetura në mur janë pikërisht nga ato para. Sipas tyre, nuk e kanë për obligim të dëshmojnë prejardhjen e parave, në raste kur shuma financiare është shumë më e madhe sesa të ardhurat legale të personit.
“Ne nuk themi me akuzën se i akuzuari ka pranuar ryshfet, megjithatë mundemi të themi se edhe në të kaluarën ka pasur shumë praktika dhe kemi prova për atë të cilat tregojnë për tregtim me ndikim dhe praktika korruptuese në nivel të ndërmjetësimit, pasi prapë them se ne nuk themi drejtpërdrejtë se ai ka pranuar ryshfet”, theksoi Iskra Haxhivasilevska, Prokurore.
