Beteja për Bërvenicën mund të mos ketë përfunduar ende. Edhe pse rezultati i zgjedhjeve të së dielës nxori fitues kandidatin e Aleancës Kombëtare për Integrim, Arkin Jahiji, me 265 vota epërsi, ndërsa humbja ishte pranuar publikisht, VMRO-DPMNE ka dorëzuar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve ankesë me të cilën kërkon anulimin e votimit në një vendvotim në Çellopek, shkruan gazeta KOHA.Siç merr vesh KOHA, ankesa është dorëzuar pak para përfundimit të afatit dhe ka të bëjë me vendvotimin 2038 në fshatin Çellopek, një nga vendvotimet ku Jahiji ka shënuar epërsi dërrmuese ndaj kandidatit të VMRO-DPMNE-së, Stojanço Radiçevski. Në këtë vendvotim kanë votuar gjithsej 411 qytetarë. Prej tyre, 391 kanë votuar për Arkin Jahijin, vetëm 13 për Stojanço Radiçevskin, ndërsa shtatë fletëvotime kanë qenë të pavlefshme.Sipas informacioneve të KOHA-s, kontestimi lidhet me votimin e një gruaje të moshuar, e cila gjatë procesit të votimit është shoqëruar nga djali i saj. Pikërisht mbi këtë rast VMRO-DPMNE kërkon anulimin e votimit në të gjithë vendvotimin, çka, nëse pranohet nga KSHZ-ja, do të hapte rrugën për rivotim.Rëndësia e këtij vendvotimi për rezultatin përfundimtar është e madhe. Diferenca ndërmjet dy kandidatëve në nivel komune është 265 vota, ndërsa vetëm në vendvotimin 2038, Jahiji ka 378 vota më shumë se Radiçevski. Në këtë zonë një pjesë e konsiderueshme e elektoratit shqiptar jeton në diasporë. Burime të KOHA-s e interpretojnë kontestimin e pikërisht këtij vendvotimi edhe si përpjekje për të ulur mobilizimin e votuesve shqiptarë në rast të një rivotimi. Megjithatë, ky mbetet një vlerësim politik dhe jo pjesë e një vendimi të KSHZ-së.Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka caktuar për sot në orën 15:00 mbledhjen në të cilën pritet të shqyrtohet ankesa e VMRO-DPMNE-së. KSHZ-ja ka shtatë anëtarë. VMRO-DPMNE përfaqësohet nga tre anëtarë – Aleksandar Dashtevski, Svetllana Karapetrova dhe Angellço Ristov; LSDM nga Bojan Mariq dhe Boris Kondarko; BDI nga Ditmire Shehu, ndërsa VLEN përfaqësohet nga nënkryetari i KSHZ-së, Abdush Demiri.Kjo përbërje e bën veçanërisht të rëndësishëm raportin e votave gjatë shqyrtimit të ankesës. Nëse tre anëtarëve të VMRO-DPMNE-së u bashkohet Abdush Demiri i VLEN-it ose njëri prej dy anëtarëve të LSDM-së, ankesa do të siguronte katër vota.Nëse ankesa pranohet dhe votimi në vendvotimin 2038 anulohet, qytetarët e kësaj pjese të Çellopekut do të duhet të dalin sërish para kutive të votimit. Kjo do të nënkuptonte se fitorja e Arkin Jahijit, e arritur me 265 vota diferencë, do të duhej të konfirmohej përsëri në rivotim. Kështu, pas një gare që dukej e përfunduar dhe një rezultati që ishte pranuar publikisht, Bërvenica mund të rikthehet sërish në betejë zgjedhore – këtë herë jo vetëm në duart e votuesve, por fillimisht në duart e shtatë anëtarëve të KSHZ-së. (koha.mk)
Lajmi ditës
VMRO kërkon prishjen e një vendvotimi në Çellopek, ja detajet!
