Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkupin, ku një grua 48-vjeçare është gjetur e pajetë, ndërsa burri i saj 51-vjeçar është arrestuar nën dyshimet se ka kryer vrasjen.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 28 qershor, rreth orës 01:20, policia ka arrestuar S.G. (51), i cili qëndronte në fshatin Taor të Shkupit, për shkak të dyshimeve të bazuara se ka vrarë 48-vjeçaren J.G.
Dy ditë më parë, më 26 qershor, i dyshuari kishte raportuar në polici se gruaja, me të cilën jetonte në të njëjtën shtëpi, ishte larguar nga banesa. Një ditë më vonë, ai sërish iu drejtua policisë, duke pretenduar se e kishte gjetur të vdekur pranë fshatit Letevc.
Në vendngjarje kanë dalë menjëherë policia dhe prokurori publik. Trupi i pajetë, i cili sipas autoriteteve ishte në fazë dekompozimi, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes.
Pas marrjes në pyetje, 51-vjeçari është privuar nga liria. Në kuadër të hetimeve janë arrestuar edhe tre persona të tjerë, të moshës 62, 64 dhe 69 vjeç.
Prokurori publik dhe policia po ndërmarrin masa shtesë për zbardhjen e plotë të rastit dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me këtë ngjarje.
Lajmi ditës
Tronditëse në Shkup: Burri e denoncoi si të zhdukur, më pas u arrestua për vrasjen e 48-vjeçares – DETAJET
